Hapet tuneli i Skërficës, Rama: Shkurton me 45 minuta udhëtimin drejt Sarandës

Nga A2 CNN
2 Korrik 2022, 14:48 | Aktualitet

Kryeministri Edi Rama publikoi në llogarinë e tij në Facebook pamje nga ceremonia e inaugurimit të hapjes për qarkullim të rrugës së re Kardhiq-Delvinë dhe të tunelit të Skërficës.

“Një aks i ri i Shqipërisë, i cili shkurton me 45 minuta udhëtimin drejt Sarandës duke rritur sigurinë rrugore si edhe ofruar një tjetër spektakël të natyrës shqiptare”, shkroi Rama në Facebook.

Tuneli i Skërficës ka një gjatësi prej 1,3 km, i shoqëruar edhe me tunelin e emergjencës me gjatësi 670 m, sipas të gjitha kushteve të sigurisë.

Kryeministri shoqërohej në këtë inaugurim nga disa ministra të kabinetit dhe deputetë, ndërsa u prit me këngë e valle popullore, por edhe nga një grup fëmijësh që luajtën në violinë.

https://a2news.com/2022/07/02/hapet-aksi-kardhiq-delvine-shkurtohet-rruga-drejt-sarandes/

Në hyrje të tunelit ishin mbledhur disa qindra banorë të zonës, ndërsa në dalje ishin ngritur stenda me produkte dhe gatime të zonës.

“Aksi Kardhiq-Delvinë, një vepër e nisur në vitin 2008”, tha ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. “Do të lidhë Gjirokastrën dhe Sarandën, por edhe Tepelenën. Siç e themi shpesh, është bërë edhe Gjirokastra dhe Tepelena me det”.

“Praktikisht është një revolucion sa i përket zhvillimit të hartës turistike, sepse itineraret kanë qenë deri tani me një kah, vetëm për në Sarandë apo deri në Gjirokastër. Ndërsa tani, Sarandë-Gjirokastër bëhet maksimumi 40 minuta. Tani harta turistike nuk është vetëm detare”, tha ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos