
Përkushtimi që shprehën Kosova dhe Serbia për hapjen e ambasadave të tyre në Jerusalem, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, ka shqetësuar Bashkimin Europian.
Këtë e tha zëdhënësi Peter Stano gjatë një konferencë për shtyp. Ndërsa e theksoi se bëhet fjalë për angazhime bilaterale, ai i kujtoi Kosovës dhe Serbisë se nëse duan integrimin në BE duhet të përqafojnë politikat dhe qëndrimet e bllokut.
“Dua të kujtoj se qëndrimi i Bashkimit Europian lidhur me zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem është i njohur dhe nuk ka ndryshuar. Asnjë ambasadë e ndonjë vendi të BE-së nuk është në Jerusalem. As zyra e delegacionit të BE-së në Izrael nuk është në Jerusalem.
Pasi edhe Kosova, edhe Serbia janë shprehur të përkushtuara për integrimet evropiane, si qëllim strategjik, ato edhe duhet të sillen në këtë mënyrë”, tha Stano. (A2 Televizion)