
Idenë për ndarjen e rrugëtimit të integrimit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, Edi Rama ia komunikoi edhe eurokomisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi, në konferencën e përbashkët për shtyp. Kryeministri i la Brukselit afat deri në fund të qershorit, kur mbyllet dhe presidenca franceze e unionit.
“Ne e kemi kryer një proces të Këshillimit Kombëtar me qytetarët shqiptarë dhe janë pyetur qytetarët shqiptarë nëse do të ishin apo jo dakord që në rastin që edhe pas këtij gjashtë mujori, me përfundimin e Presidencës franceze gjendja mbetet e pandryshuar, Shqipëria të ndryshojë kursin e të kërkojë haptazi ndarjen nga Maqedonia e Veriut, por kjo mbetet për tu aktivizuar si qasje mbas kësaj mbledhje të Këshillit Europian e deri në këtë takim të Këshillit Europian, ne jemi absolutisht në pozicionin që të dyja vendet duhet të hapin negociatat”, tha kryeministri Rama.
Me shpresën se deri në qershor Bullgaria do të heqë dorë nga vetoja me të cilën pengon Shkupin e për rrjedhojë edhe Tiranën, Varhely bëri të qartë se ndarja e procesit integrues për dy vendet, nuk është opsion.
“Nuk mendoj që unë do jem i besueshëm po t’iu them tani “Po sikur të dështoj, çfarë do bëj unë pastaj”? Në rast se do flisja me ju për këtë gjë, atëherë i bie që unë nuk po përpiqem aq sa duhet në punën time. Unë po përpiqem, po përpiqem fort, siç duhet dhe kjo kërkon durim, durim strategjik siç e tha kryeministri. Puna që ne po bëjmë, është që të arrijmë marrëveshjen në qershor. Nuk ka plan B”, deklaroi komisioneri Varhely.
Qasja e Varhelyit për t’u fokusuar te puna bindëse me Bullgarinë u mbështet dhe nga kryeministri Rama, me shpresën se samiti i qershorit do të jetë pozitiv.
“Këtu fokusi është për të bindur Bullgarinë e për t’i patur të dyja. Ju kërkoni tani një deklaratë këtu që të prishet fare puna që po bëhet me Bullgarinë. Kjo nuk mund të ndodhi këtu. Kështu që ne duhet të bëjmë çmos që në qershor t’i kemi të dyja “po”. Ne tonën, Maqedonia e Veriut të sajën. Kjo është ajo që duhet të bëjmë”, shtoi Rama.
Prej vitesh tashmë zyrtarët e Brukselit përsërisin në Tiranë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të hapur negociatat. Fjali që shoqërohen me qëndrim në vendnumëro për shkak të humoreve të brendshme të vendeve anëtare. Gazetarët pyetën eurokomisionerin për Zgjerimin nëse kjo është tallje me vendin tonë.
“Nuk është Shqipëria ajo me të cilën po tallet njeri. Në rast se ne nuk vendosim për këtë gjë, ne po tallemi me vetveten, BE po tallet me vetveten, por është një fjalë shumë e fortë kjo për një Komisioner për ta thënë, kështu që nuk po them këtë gjë. Siguria e BE po komprometohet dhe prandaj ne duhet ta bëjmë këtë gjë tani dhe besueshmëria jonë po vihet në pikëpyetje”, përfundoi Varhelyi.
Prova e radhës për besueshmërinë e unionit është pas disa javësh, kur Këshilli Europian, në samitin e qershorit, duhet të vendosë çfarë do të bëjë me negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. (A2 Televizion)