Harta e re territoriale, PD propozon ndarjen në 5 rajone

Nga A2 CNN
30 Gusht 2022, 16:25 | Politikë

Partia demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka gati një draft  për ndarjen e re territoriale të vendit, i cili synon vendosjen e rajoneve, ide e cila deri më tani është propozuar vetëm nga socialistët. Ylli Asllani, sekretar i pushtetit vendor në PD dhe pjesë e grupit të punës, tregon se demokratët duan që reforma në thelb të ketë qeverisje më të fortë  pranë qytetarëve dhe jo të ketë primare eficencën ekonomike e cila u synua në 2014, por sipas tij dështoi.

A2 CNN ka mësuar se në draftin e demokratëve, numri i rajoneve parashikohet të jetë 5, me shumicën e tyre që mendohet të kenë dalje në det. Një ide kanë edhe për emërtimin e tyre. Rajoni i Arbërit, ai i Kaonëve, Rajoni I Muzakajve, Rajoni Elbasan-Korçë dhe ai i Shkodrës.

Por nga ndryshon propozimi i demokratëve nga ai i socialistëve? “Ne mendojmë që zhvillimi rajonal është atribut i njësive të pushtetit vendor. Dhe roli i qeverisë është një rol ndihmës. Kurse pjesa tjetër mendon që njësitë vendore janë faktorë në sfond”, thotë Ylli Asllani, Sekretar i Pushtetit Vendor në PD.

PD kërkon gjithashtu shtim të numrit të bashkive nga  80 deri në 90 njësi vendore. Sipas sekretarit Ylli Asllani, një nga kriteret që duhet mbajtur në konsideratë, është shpopullimi që ai thotë se ka sjellë largimi I shërbimeve nga qytetarët.

Edhe pse PD e drejtuar nga Berisha nuk ka përfaqësues në komisionin e posaçëm të reformës territoriale, Asllani pohon me bindje se ky draft do ta gjejë rrugën për të mbërritur në duart e deputetëve në Parlament. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos