Chelsea duket se ka miratuar më në fund largimin e Eden Hazard për te Real Madrid, pasi ka gjetur lojtarin e duhur për ta zëvendësuar. Bëhet fjalë për Philippe Coutinho, i cili mund të jetë i interesuar për një rikthim në Premier League, pasi nuk është shumë i kënaqur te Barcelona.
Ish-lojtari i Liverpool është nën shënjestrën e Bluve të Londrës, të cilët po përgatiten për të shitur Hazard te Real Madrid. Zinedine Zidane e ka vënë belgun në majë të prioriteteve të tij, por ngërçi ka mbetur te shifra me të cilën do të mbyllet ky transferim, pasi Chelsea kërkon rreth 100 milionë paund për Hazard.

Sipas mediave katalanase, edhe Barcelona do të ishte e gatshme të shiste brazilianin Coutinho. Edhe pse është blerë për 146 milionë paund vetëm një vit më parë, Barca do të ishte e gatshme të rikuperonte vetëm 100 milionë nga shitja e mesfushorit, shifër që ka tërhequr interesimin e Chelsea-t.
Nëse goditja nuk do të realizohet, një alternativë është edhe Nicolas Pepe. Lojtari i talentuar i Lille ka tërhequr interesin e disa skuadrave angleze, si Liverpool, Manchester United dhe Everton. (A2 Televizion)