
102 persona janë arrestuar dhe 800 mijë euro asete janë sekuestruar në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të udhëhequr nga Europol, ku ka marrë pjesë edhe Shqipëria.
Policia e Shtetit tha se ky është operacioni i parë global i këtij lloji kundër hedhjes së paligjshme të mbetjeve sanitare COVID-19, i drejtuar nga Europol. Përveç vendit tonë në operacion janë përfshirë edhe shtete të tjera, si Austria, Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kolumbia, Kroacia, Çekia, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Ukraina.
“Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, Europol identifikoi rritjen e mundshme të rasteve të trajtuara lidhur me shpërndarjen e paligjshme të mbeturinave sanitare dhe për këtë shkak Europol nisi operacionin Retrovirus. Oficerët kryen inspektime dhe kontrolle në impiantet dhe mjetet e transportit të mbetjeve sanitare, të cilat ishin vendimtare për trafikimin e paligjshëm, ruajtjen, hedhjen dhe transportimin e mbeturinave dhe mashtrimin nëpërmjet dokumenteve.
Tridhjetë vende morën pjesë në operacionin Retrovirus, duke përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Mjedisin, Rrjetin EnviCrime, Frontex, INTERPOL, projektin El PAaCTo dhe Rrjetin e Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit Mjedisor (IMPEL)”, tha Policia e Shtetit.
Rreth 280.000 inspektime dhe 102 arrestime janë kryer deri më tani, konkretisht:
• 278.291 inspektime të kryera.
• 102 arrestime.
• Ndaj më shumë se 819 subjekte dhe individëve janë marrë masa administrative.
• 800000 € në asete të sekuestruara.
• 22 sekuestrime të mbetjeve. (A2 Televizion)