
Lucas Hernandez është prezantuar zyrtarisht si futbollisti i Paris Saint Germain. Ndonëse marrëveshja kishte kohë që ishte arritur, klubi njoftoi për transferimin e tij me anë të një videoje, tek e cila francezi thekson se do të bëjë historinë me kampionet e Francës.
Hernandez firmosi një kontratë 5-vjeçare dhe në fjalët e tij të para si futbollist i Parisit u shpreh i lumtur për këtë transferim.
“Jam shumë i gëzuar! Kam shumë kohë që mezi pres të bashkohem me PSG-në dhe më në fund ndodhi. Është një ditë shumë e veçantë për mua dhe jam shumë i lumtur që jam këtu”.
Mbrojtësi tha se nuk mund të refuzonte ofertën e Parisit dhe se ishte gati për aventurën e re.
‘’Parisi dëshiron të arrijë gjëra të mëdha, është një skuadër me ambicie dhe unë shpresoj të jem në gjendje ta ndihmoj klubin t’i arrijë ato. Unë jam dikush që gjithmonë dëshiron shumë në karrierë dhe kjo është arsyeja pse unë po i bashkohem klubit për të arritur këto objektiva, jam i sigurt që me cilësitë që grupi ka, mund të bëjë më shumë”, theksoi futbollisti.
Lucas Herndez do të qëndrojë në Paris deri në vitin 2028 dhe raportohet se skuadra franceze ka paguar 40 milionë euro për shërbimet e mbrojtësit të majtë. (A2 Televizion)