Hetimet kundër Trump, Dhoma e Përfaqësuesve voton rezolutën

Nga A2 CNN
31 Tetor 2019, 14:56 | Bota
Hetimet kundër Trump, Dhoma e Përfaqësuesve voton rezolutën

Votimi i rezolutës konsiderohet si testi i parë zyrtar lidhur më mbështetjen ndaj hetimit kundër Trump në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët.

Presidenti Donald Trump shpreh besimin tek partia e tij dhe shkruan në Twitter se republikanët janë të bashkuar kundër gjepurës së “impeachment”. Mbështetësit e tij thonë se demokratët nuk janë treguar të drejtë. Senatori Mitch McConnell, lideri i shumicës në Senat, tha: “Ndryshe nga hetimet mbi ish-presidentët Clinton dhe Nickson, ata i mohuan Trumpit të drejtat bazike dhe kanë lënë jashtë procesit avokatin e tij”.

Kritikët e Presidentit nuk janë dakord dhe thonë se Trump gjendet në një situatë të tillë për shkak të sjelljeve joetike, përfshirë telefonatën me Presidentin ukrianas, Volodimir Zelenski, ku i kërkoi këtij të fundit të hetonte Biden dhe djalin e tij Hunter.

Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, deklaroi: “Banori aktual i Shtëpisë së Bardhë mendon se mund të bëjë ç’të dojë, por nuk është kështu”. 

Më herët gjatë javës, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve publikuan rezolutën prej 8 faqesh, e cila përcakton një proces prej dy fazash për hetimet ndaj Trump. Në të parën, Komisioni i Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve do të vazhdojë hetimet dhe do të mbajë seanca publike.

Në fazën e dytë një raport publik mbi gjetjet e hetimet do t’i dërgohet Komisionit të Drejtësisë i cili do të zhvillojë procedurat e veta. Avokatët e Trump do të lejohen të marrin pjesë vetëm ne fazën e dytë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos