Basha: Marrëveshja nuk zgjidh krizën, duhen zgjedhje

Nga A2 CNN
14 Janar 2020, 16:31 | Politikë
Basha: Marrëveshja nuk zgjidh krizën, duhen zgjedhje

Edhe kjo marrëveshje e fundit politike që uli palët në dialog për Reformën Zgjedhore u mundësua nga të njëjtët aktorë, ndërkombëtarët.

Këtë herë, ata punuan në heshtje, duke nxitur palët që të linin kushtet e të shikonin në sy rivalin.

Kjo vizitë e fundit e britanikut Duncan Norman në selinë e PD-së, vetëm një ditë para marrëveshjes politike, është ndër të paktat dëshmi të kësaj përpjekjeje diplomatike, që u konfirmua edhe nga Lulzim Basha.

“Me ndihmën e faktorit ndërkombëtar kemi mundësuar një proces. Dua të falenderoj faktorin ndërkombëtar, në veçanti përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar për ndihmën e jashtëzakonshme që kanë dhënë për të shtyrë drejt një produkti i cili është vonuar 4 muaj dhe nuk duhet të vonohet më asnjë ditë”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati e bëri të qartë se kaq nuk mjafton për të quajtur të zgjidhur krizën politike: “Opozita e bashkuar dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve duan dhe meritojnë një fund sa më të shpejtë të kësaj krize politike, që vjen vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore në të njëjtën ditë”.

Pasi takoi aleatët e tij më të vegjël, Basha nënvizoi tre pikat mbi të cilat duhet të finalizohet marrëveshja politike për Reformën Zgjedhore: “Krijimi i një mekanizmi gjithëpërfshirës dhe transparent, me pjesëmarrjen e forcave politike dhe aksesin e çdo faktori tjetër shoqëror dhe të grupeve të interest; miratimi me konsensus jashtë Parlamentit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore të çdo propozimi për Reformën Zgjedhore; kalimin e çdo aspekti të miratuar me konsensus, pa asnjë ndryshim në seancë plenare”.

Sa i përket sistemit, Basha u shpreh i gatshëm për ta diskutuar, por, sipas tij, problemet me zgjedhjet shqiptare nuk zgjidhen me një palë këpucë të reja, siç u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos