
Shtyhet sërish seanca për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, edhe pse vetë ai kishte kërkuar që kjo të mos ndodhte. Tahiri tha para kamerave se po kalohet çdo limit me zgjatjen 5 herë të hetimeve.
“Nuk më ka humbur durimi, pres pa komentuar asnjë veprim të Prokurorisë dhe do vazhdoj të pres deri në fund, pavarësisht se gjithçka po ndodh e ka kapërcyer çdo limit të kohës kur hetimet mund të kryhen. Pavarësisht se hetimet janë zgjatur pesë herë, kjo është hera e parë që unë kërkoj që kjo të mos ndodhë më”, tha Tahiri.
“Drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi. E nëse kjo ndodh me mua imagjinoni çfarë ndodh me njerëzit që kanë një milion halle në dyert e gjykatave dhe nuk gjejnë dot të drejtën”.
Ish-ministri i kishte kërkuar Gjykatës së Krimeve të Rënda që në sallë të ishin të pranishme edhe mediat, por kjo kërkesë është refuzuar. “Nuk kishte asnjë sekret, ma besoni. Ju keni aq shumë mesazhe në telefonat tuaj nga prokurorët sa nuk ka më asnjë sekret në këtë histori. Në këtë vend që jemi, nuk kalon njeri pa marrë faturën që i takon. Ma besoni këtë”. (A2 Televizion)