Vazhdojnë seancat e hapura dëgjimore në Kongresin amerikan. Ambasadori i Uashingtonit në Bashkimin Europian, Gordon Sondland, u shpreh përpara komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Donald Trump, se Shtëpia e Bardhë dëshironte që Ukraina të bënte një njoftim publik për nisjen e një hetimi kundër djalit të Joe Biden, në këmbim të ndihmës financiare për ushtrinë.
“A kishte shantazh në këmbim të diçkaje? Siç kam dëshmuar dhe më përpara, sa i përket telefonatës dhe takimit në Shtëpinë e Bardhë, përgjigja është ‘po’ ”. Më tej Sondland dëshmoi se bashkë me të tjerët veproi me udhëzim të Shtëpisë së Bardhë.

“Zoti Giuliani i përcolli Sekretarit Perry, ambasadorit Volker dhe të tjerëve se presidenti Trump kërkonte një deklaratë publike nga presidenti Zelensky që pranonte hapjen e një hetimi kundër Biden dhe zgjedhjet e 2016-ës”, deklaroi ai.
Shumë zyrtarë të administratës Trump ishin në dijeni të bisedave mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.
“Ne mbajtëm lidershipin e Departamentit të Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të informuar për veprimet tona. Ata e dinin ç’po bënim”, saktësoi Sondland.
Kjo ishte një tjetër dëshmi, që rëndon pozicionin e presidentit Trump në hetimin për shkarkimin e tij. Në bazë të këtij hetimi, është pikërisht dyshimi që kreu i Shtëpisë së Bardhë i bëri presion Ukrainës për të nisur një hetim për të dëmtuar imazhin e rivalit Biden.
(A2 Televizion)