Një biznesmen në Maltë është arrestuar si pjesë e hetimit për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia dy vite më parë.
Yorgen Fenech, u vendos në pranga nga oficerë të armatosur, pas zbulimit të vendndodhjes së jahtit të tij, me të cilin po përpiqej të arratisej në detin Mesdhe. Pas këtij zhvillimi, kryeministri Joseph Moscat premtoi se autoritetet nuk do të lënë asnjë gur pa lëvizur për të zbardhur krimin që tronditi Maltën dhe më gjerë.

“Ne duhet të presim procesin dhe jam i sigurt se do të nxjerrë konkluzionet e duhura”. Arrestimi i biznesmenit vjen një ditë pasi Muscat ofroi faljen e një ndërmjetësuesi të dyshuar në vrasjen e gazetares Galizia, nëse ai do të garantonte prova ligjore se kush qëndron pas këtij krimi.
Kryeministri u tha gazetarëve se ka urdhëruar survejim shtesë ndaj personave të përfshirë në hetime. Avokati i biznesmenit Fenech është kontaktuar nga mediat ndërkombëtare, por nuk ka dashur të prononcohet.
Sipas ligjit në Maltë, policia ka 48 orë kohë për ta marrë në pyetje apo për ta liruar të arrestuarin. Në vrasjen e gazetares dyshohet të jenë përfshirë dhe kriminelë shqiptarë, të cilët mund të kenë furnizuar bandën malteze me material eksploziv. (A2 Televizion)