Hidhet shorti i Champions League, dy supersfida në 1/8

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2022, 12:20 | Futboll
Hidhet shorti i Champions League, dy supersfida në 1/8

Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti për fazën e 1/8 në Champions League, ku nuk munguan përballjet spektakolare. Dy ndeshjet më të forta janë pa diskutim Liverpool-Real Madrid dhe Bayern-Paris Saint Germain.

“The Reds”, pavarësisht momentit të vështirë që po kalojnë në kampionat, kanë ambicie maksimale në arenën europiane. Skuadra e Jurgen Klopp do të provojë të hakmerret pas finaleve të vitit 2018 dhe 2022, ku madrilenët triumfuan 3-1 dhe 1-0.

Nga ana tjetër, përballje që rezervon emocione të mëdha është dhe ajo mes Bayern Munchen dhe Paris Saint Germain. Dy gjigantë të Europës dhe vetëm një biletë për t’u kualifikuar më tej. Bavarezët duan të përsërisin suksesin e sezonit 2019-2020, edhe pse detyra do të jetë e vështirë, pasi tani do të përballen me Parisin e Messi, Mbappe dhe Neymar.

Ndërkohë, goglat kanë qenë me fat për të treja skuadrat italiane. Milani i rikthyer pas afro 9 vitesh në këtë fazë do të luajë përballë Tottenham të Antonio Contes, Inter sfidon Porton, ndërsa Napoli kërkon kualifikimin më tej përballë Eintracht Frankfurt. 

Ndeshje e bukur mund të konsiderohet dhe dueli mes Borussia Dortmund dhe Chelsea. Edhe pse londinezët janë favoritë në statistika, kur vjen puna tek një ndeshje Champions, motivimi tek çdo skuadër është e një tjetër niveli.

Me fat ka qenë shorti për Manchester City, që do të përballet me Leipzig dhe portugezët e Benfica sfidojnë belgët e Club Brugge.

Ndeshjet e para të kësaj faze do të luhen në 14 shkurt të vitit të ardhshëm. 

Rezultatet e shortit:

Leipzig - Manchester City

Club Brugge - Benfica

Liverpool – Real Madrid

Milan – Tottenham

Eintracht Frankfurt – Napoli

Borussia Dortmund – Chelsea

PSG - Bayern Munchen

Inter – Porto. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/07/shorti-i-europa-league-ofron-duel-gjigantesh/

A2 CNN Livestream

Latest Videos