
Brenda nëntorit do të akomodohen 637 familje në apartamentet e reja në Bashkinë e Shijakut. Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në hedhjen e shortit dhe theksoi se fatkeqësia e tërmetit u kthye në mundësi për njerëzit e prekur prej tij.
Sipas kreut të qeverisë, të verbrit dhe tetraplegjikët do të kenë përparësi, ndërsa të gjithë të tjerët do të marrin apartamentin përmes shortit.
“Në pranverë do të jetë një lagje që as që mund të imagjinohej, arritëm të kthejmë fatkeqësinë në mundësi të re për njerëzit e prekur prej saj. Dhimbje e keqardhje për ata që humbën jetën. Në katet e para të godinave të reja janë njësitë e shërbimit sipas rregullit të vendosur dhe kriterit të qartë që kush ka pasur një njësi shërbimi më parë do të rimarrë atë që ka pasur. Kush ka bërë njësi shërbimi duke çarë pallatin, do të marrë shtëpinë dhe jo njësinë e shërbimit. Do të kemi edhe njësitë e shërbimit publik si Posta, OSSHE, Ujësjellësi ndoshta një vendimmarrje që do ta bëjë fondi shqiptar i zhvillimit dhe hapësira për të rinjtë e të moshuarit. Lagje e re me sens komuniteti e solidariteti social. Kanë përparësi të verbrit dhe tetraplegjikë, të gjithë të tjerët me short. Apartamentet do t'i merrni me tapi dhe nuk do të paguani kokërr leku”, tha Rama.
Ndërkohë zv.kryeministrja Balluku njoftoi se nga 1 dhjetori nuk do të jepet më bonusi i qirasë në këtë bashki, ndërsa u bëri thirrje edhe 10 bashkive të tjera që të ndjekin shembullin e Bashkisë së Shijakut dhe qytetarët të akomodohen në banesat e tyre. (A2 Televizion)