
Seanca e së hënës në Komisionin Hetimor për inceneratorët, u shoqërua me debate mes deputetëve socialistë e demokratë. Në debat, u përfshi edhe administratorja e Inceneratorit të Tiranës, Ariola Kodra, e cila ishte thërritur për të dëshmuar.
Në një moment, gjatë marrjes në pyetje, kryetarja e komisionit i tërhoqi vëmendje Kodrës. “E kuptoj që është e rëndësishme të komunikosh me mesazhe, po pret përgjigje nga Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, apo Stela Gugalljan, por kini mendjen”, tha Tabaku.
Në debat u përfshi edhe anëtari socialist i këtij komisioni, Arben Pëllumbi, të cilin Tabaku e akuzoi se ishte koordinuar me administratoren e inceneratorit të Tiranës, Kodra. “Ju keni qenë shumë herë më të koordinuar se ne dhe kjo është e habitshme. Nuk kishim nevojë për koordinim”, iu përgjigj Pëllumbi, duke ironizuar ndarjet e brendshme brenda PD-së.
Çështja kyçe mbi të cilët administratorja e inceneratorit debatoi me deputetët demokratë ishte edhe tarifa prej 29 eurosh për ton e administrimit të mbetjeve, me të cilën është paguar ky incenerator dhe nëse përfshihet apo jo në këtë tarifë procesi i incenerimit.
Pjesë nga debati
Spaho: Tarifa që ju merrni parashikon depozitim dhe djegie apo vetëm depozitim?
Kodra: Tarifa 29 euro parashikon tërësinë e proceseve. Nga momenti kur vjen kamioni e deri te faza e fundit që do të jetë incenerimi.
Spaho: Pra nuk ka ndodhur incenerimi për vitet 2017-2020?
Kodra: Impiantet janë në fazë ndërtimore.
Spaho: Sapo kuptova që tarifa 29 euro përfshin nga hyrja e kamionit deri tek incenerimi. Keni marrë tarifën e djegies, sa është brenda 29 eurove, por djegie nuk është kryer?
Kodra: Është kryer tërësia e proceseve.
Demokratët akuzojnë qeverinë socialiste se ka abuzuar me një shifër prej 430 milionë eurosh me procedurat tenderuese për ndërtimin e inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan. Për inceneratorin e Elbasanit, SPAK ka vendosur në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, si dhe ka deklaruar që po heton edhe për inceneratorin e Tiranës dhe atë të Fierit. (A2 Televizion)