
Taulant Balla, pas mbledhjes së Kryesisë së Grupit të Partisë Socialiste, foli për votimin në Kuvend të zgjatjes së afateve të institucioneve të vetingut.
Kur u pyet nga A2 CNN se kush negocioi me Partinë Demokratike për votat e vetingut, Balla tha: “Nuk ka pasur negociatë për këtë çështje. Ka qenë vetëm ndërgjegjësimi i grupit parlamentar të PD-së, që vendosi të mbështesë procesin, duke e konsideruar tejet të rëndësishëm për rrugën europiane të Shqipërisë”.
Në lidhje me komisionin e Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale, Balla theksoi: “Kemi dhënë aprovimin në Kuvend për ngritjen e komisioneve zgjedhore dhe territoriale. Të enjten, do të votohet edhe për përbërjen e tyre. Partia Socialiste, do të ketë 8 anëtarë në secilën prej komisioneve dhe bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore do të jetë Damian Gjiknuri. Mandati do të jetë 6-mujor dhe mendoj se janë të mjaftueshme për të shqyrtuar të gjitha propozimet. Do të përpiqemi të biem dakord. Unë nuk dua të paragjykoj punën e komisionit, ka shumë çështje që duhen diskutuar”. (A2 Televizion)