Meta propozon që Gent Sejko të rizgjidhet Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2022, 12:24 | Politikë
Meta propozon që Gent Sejko të rizgjidhet Guvernator i Bankës

Presidenti Ilir Meta i propozon Kuvendit që Gent Sejko, të rizgjidhet Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

“Nisur nga fakti që Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i ka përfunduar mandati në datën 5 shkurt 2022, Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta, pasi ka ndjekur me vëmendje zhvillimet dhe procedurat në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ditën e sotme në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 161, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka dekretuar që Zoti Gent Sejko t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t'u rizgjedhur si Guvernator i Bankës së Shqipërisë”, thotë Meta në dekretin e tij.

“Vlerësojmë politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike, si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal. Gjithashtu, është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar, që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid”.

https://a2news.com/2022/02/03/guvernatori-sejko-konfirmohet-per-nje-mandat-te-dyte-si-anetar-i-keshillit-mbikeqyres-te-bsh/

Presidenti i kërkon Bankës së Shqipërisë të monitorojë rritjen e lartë të çmimeve në muajt e fundit dhe kreditë me probleme. “Në kushtet kur inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e inflacionit dhe të rregullojë qëndrimin e politikës në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Rreziku i rritjes së kredive me probleme shton rëndësinë e një monitorimi të ngushtë të cilësisë së portofolit të kredisë së bankave, ruajtjen e rezervave të kapitalit dhe forcimin e kornizave të zgjidhjes së kredive të këqija. Të gjithë aktorët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë rreziqet fiskale në rritje që lidhen me rritjen e borxhit publik dhe të ekspozimit ndaj rritjes së portofolit të projekteve të Partneritetit Publik Privat”, thotë Meta.

Më 3 shkurt, me 100 pro, 6 kundër dhe 4 abstenim, Sejko u zgjodh nga Kuvendi për një tjetër mandat (mandati i dytë) si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje, dhe votohet në Parlament. Gent Sejko u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos