Hiqen bllokadat në veri, Albin Kurti në komunikim me ndërkombëtarët, kryetarët e rinj nisin punën

Nga A2 CNN
27 Maj 2023, 19:06 | Kosova
Hiqen bllokadat në veri, Albin Kurti në komunikim me

24 orë pas tensioneve dhe përplasjeve në veri të Kosovës, mes policisë dhe serbëve lokalë atje, kjo fundjavë duket se riktheu qetësinë. Kryetarët e komunave të Zveçan, Zubo Potokut e Leposaviçit, sot shkuan në zyrat e tyre, pa incidente por nën masa sigurie të shtuara, pas asaj që ndodhi të premten e 26 majit.

Bllokadat e vendosura të premten, në hyrje të godinave të komunave apo edhe në rrugët kryesore, u hoqën, siç u pastruan edhe gurët e shkarkuar nga serbët atje. Në Leopsaviç, policia u kujdes po ashtu të heqë të gjitha kamerat ilegale që ishin  vënë qark godinës dhe kudo nëpër rrugët e komunës.

Pas paralajmërimit dhe reagimeve me tone të ashpra ndaj kryeministri Kurti të premten, ndërkombëtarët vijuan komunikimin me të, duke dënuar edhe njëherë dhunën e ushtruar të premten në veri por edhe me kërkesën për të respektuar marrëveshjen e Ohrit dhe për të nisur menjëherë zbatimin e saj.

Në zyrën e Kurtit mbërriti të shtunën vetë emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Pas takimit me Kurtin dhe presidenten Osmani, Sarrazin udhëtoi drejt Mitrovicës, në zyrën e EULEX atje. Mesazhin për Kurtin e Vuçiçin e përcolli përmes mediave të Kosovës.

“Mesazhi im është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhet poshtë për shkak të një budallallëku. çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta dhe natyrisht se ndjenja e ndonjërit prej tyre është se gjërat nuk po shkojnë si duhet, nuk mund të merren vendime të pamatura”

MANUELA SARRAZIN, EMISARI I GJERMANISË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Një ditë më e qetë ka qenë edhe Beogradin zyrtar, me Presidentin Vuçiç që fillimisht mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare e më pas mori pjesë në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Progresive Serbe, nga ku, siç kishte paralajmëruar, dha dorëheqjen si kryetar i partisë.

“Ajo që do të jetë vështirësia më e madhe në periudhën e ardhshme është Kosova, pothuajse të gjithë njerëzit tanë që është dashur të marrin pjesë në këtë takim sot janë në Kosovë dhe është një situatë e vështirë....disa po sillen të paaftë, po behën naiv, por në fakt qëllimet e tyre janë, e kam fjalën për këta nga perëndimi. Synimi i tyre është që të dalim gjoja me një komunikatë kundër tyre, që me këtë gjoja na kënaqin, ndërkohë që në fakt duhet të pajtohemi me atë që quhet realiteti i ri. Me atë që quhet realitet i ri, e cila në asnjë mënyrë nuk i shkon për shati popullit serb dhe që është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe të gjitha aktet dhe normat juridike publike ndërkombëtare, ata do të vazhdojnë me këtë. Rezistenca e popullit serb sigurisht që do të jetë gjithnjë e më i fortë dhe më e fuqishme, shpresoj me mjete paqësore dhe demokratike, nëse ata sulmohen ose në ndonjë mënyrë tjetër, jam i sigurt se serbët do të mbrohen”.

PRESIDENTI I SERBISË, ALEKSANDËR VUÇIÇ

Duke kujtuar se do të vazhdojë të jetë President i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se tashmë do të nisë punë me formimin e një lëvizje të re politike. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/27/pas-tensioneve-ne-veri-te-kosoves-rikthehet-qetesia-edhe-pse-me-prezence-te-forcave-speciale-e-policise/
https://a2news.com/2023/05/27/perfundon-mbledhja-e-keshillit-te-sigurimit-vucic-kfor-ska-vepruar-si-duhet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos