Historia e inceneratorëve, nga zgjidhje për mbetjet te përplasja politike dhe prangat e SPAK

Nga A2 CNN
11 Mars 2022, 16:08 | Politikë

Një vit pasi Edi Rama kishte marrë mandatin e parë si kryeministër, qeveria shqiptare nisi strategjinë e saj për asgjësimin e mbetjeve nëpërmjet incenerimit, ndërkohë që më herët kishte anuluar importin e mbetjeve.

Me një qeveri koalicioni, ku “Mjedisin” e kontrollonte aleati LSI, qeveria shqiptare vendosi të ndërtojë impiantin e parë në Elbasan, dhe që nga ajo kohë deri më sot, termi incenerator është kthyer në akuzë për korrupsion.

Me fitimin e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 2015, qeveria krijoi terrenin e duhur për shtrirjen e kësaj strategjie, jo vetëm në Elbasan dhe Fier, por edhe në kryeqytet. Me tre impiante incenerimi të ndërtuara nëpërmjet kontratave koncesionare, opozita ka akuzuar muaj pas muaji ekzekutivin e Edi Ramës për djegie të parave të shqiptarëve dhe jo mbetjeve urbane.

Kemi të bëjmë me vjedhje dhe abuzim qindra milionësh, pra përfitimet e një grushti njerëzish

Lulzim Basha, mars 2021

Akuzat politike u materializuan në kallëzime penale nga PD dhe LSI e dalë në opozitë pas zgjedhjeve të 2017-ës. Struktura e Posaçme Antikorrupsion nuk qëndroi pasive dhe në rrjetën e SPAK ra peshku i parë I madh, ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka.

https://a2news.com/2022/03/11/komisioni-i-inceneratoreve-raporti-tabaku-votohet-kunder-edhe-nga-deputete-te-opozites/

Natyrisht do të donim, dhe presim, jo vetëm ne si opozitë, por të gjithë shqiptarët, që kjo goditje të jetë e plotë dhe e vërtetë dhe të mos mjaftohet me “koka turku”

Lulzim Basha, dhjetor 2021

Në një kohë që SPAK kishte marrë në duar mbi një mijë faqe materiale ku publikisht opozita i konsideronte prova, Partia Demokratike nisi aksionin opozitar, duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor. Kur ishte në prag të dështimit nga bllokada e socialistëve, funksionimi i tij u mbështet edhe nga zyra e Ambasadës amerikane në Tiranë, çka u hapi rrugë dëshmive të kërkuara.

Larmia e dëshmive, konfirmoi problematika në veprimet e zyrtarëve, por retorika politike dhe batutat ishin dhe kësaj here strategjia dominuese në hetimet parlamentare. Dhe përballja me strukturat e larta shtetërore u kthye më shumë në humor se sa zbulim provash.

Kryeministri Edi Rama bën kryqin kur dëgjon se “afera 430 milionë euro”, për të cilët akuzohet nga demokratët, është pagesa që do të marrin kompanitë e inceneratorëve deri në vitin 2047

Nëse janë vjedhur apo jo 430 milionë euro siç pretendon opozita, këtë duhet ta faktojë SPAK dhe duhet ta provojë në Gjykatë. Por deri më sot raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar shkelje ligjore në të tre inceneratorët, duke bërë me faj qeverinë. Në rastin e Tiranës, theksohet se që prej vitit 2018 është paguar tarifa 29 euro/ton për incenerimin e mbetjeve urbane, për një shërbim të pakryer, duke qenë se inceneratori nuk ka përfunduar.

“Aktualisht, çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit qe kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incenerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri më sot”

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Kuvendi ka mbyllur të gjithë procedurën hetimore parlamentare dhe tashmë ekskluzivitetin e ka SPAK, por opozita duket se ka në plan edhe një akt të fundit, në serinë e padive të dorëzuara në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/03/10/inceneratoret-basha-kane-qare-para-kamerave-presion-i-jashtezakonshem-politik-ndaj-qeverise/

A2 CNN Livestream

Latest Videos