Zorica Rebernik e ka kaluar të gjithë jetën e saj mes ngjyrës së kuqe. Prej 4 dekadash, 67-vjeçarja vishet nga koka tek këmbët vetëm me të kuqe, madje thotë se edhe kur të vdesë, varri i saj dhe i bashkëshortit Zoran, është gati me granit të kuq, të importuar nga India.
“Në moshën 18 vjeçe ndjeva, papritur, një dëshirë të fortë të vishem me të kuqe. Nuk di si ta shpjegoj, por kështu doja. Kur gjeta veshjen e parë të kuqe, doja me patjetër edhe një tjetër. Më tërhoqi shumë. Nga ai moment doja të kisha gjithçka të kuqe, dhe nuk gjeja qetësi pa i gjetur. Kisha nevojë për këtë ngjyrë”, shprehet Zorica.
c
Mësuesja, sot në pension, jeton në këtë shtëpi të kuqe, ku gjithçka është në këtë ngjyrë. Çifti Rebernik konsumon ushqim në pjata të kuqe, pinë në gota të kuqe, në po të njëjtën ngjyrë është dhoma e tyre e gjumit. Madje flokët e saj janë të kuq.
“Veshja ime e parë e rëndësishme në ngjyrë të kuqe ishte fustani i nusërisë. Kjo ndodhi 45 vjet më parë. Nuk doja ta martohesha me ngjyrë të bardhë”, shton e moshuara.
Zorica thotë se e kuqja i jep fuqi dhe pushtet. “Nisa të kërkoja për veshje dhe sende të kuqe kudo, udhëtova nëpër botë për të gjetur. Kam udhëtuar në Austri, Gjermani, Itali, Hungari, Rumani dhe Bullgari, por më shumë gjeta në Turqi”.
Obsesioni i saj me të kuqen e ka shndërruar 67-vjeçaren në një personazh te njohur në vendlindjen Breze, në veri të Bosnjes.
“Të gjithë më njohin, kudo ku shkoj vetë shitësit më ofrojnë diçka të kuqe. Blej gjithçka që kanë këtë ngjyrë. Edhe dhuratat i pranoj vetëm nëse janë në ngjyrë të kuqe. Kam punuar mësuese për 40 vjet. Madje të gjithë nxënësve të mi iu kam bërë dhurata në ngjyrë të kuqe. Ata më donin, më shihni gjithnjë me adhurim. Kur njerëzit më shohin në rrugë thonë, ja zonjë në të kuqe. Edhe në varrim madje vishem me të kuqe, edhe pse tradita e do që të vishem me të zeza. Nuk i kushtoj kurrë rëndësi asaj çka njerzit thonë për mua”, e mbyll “Zonja me të Kuqe”. (A2 Televizion)