“Horrori” vetëm 3,6 kilometra nga qendra e Tiranës, detaje nga arrestimi i radikalit që ngujoi gruan dhe fëmijët

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2022, 19:11 | Kronikë
“Horrori” vetëm 3,6 kilometra nga qendra e Tiranës, detaje

Vetëm 3,6 kilometra larg qendrës së Tiranës, në zonën e “5 Majit”, për 6 vite me radhë, një bashkëshorte, nënë e dy fëmijëve, është mbajtur e ngujuar në banesë nga bashkëshorti i saj, nën dhunë sistematike dhe kërcënimin e thikave.

Në shtëpinë e familjes Laçi, ngjitur me rrënojat e shtëpive të prishura nga IKMT te “5 Maji”, bashkë me gruan, vitin e fundit janë mbajtur të izoluar nga bota e jashtme edhe dy fëmijët e çiftit, të moshave 15 dhe 17 vjeç.

Policia njoftoi të dielën arrestimin e kryefamiljarit, 52-vjeçarit Xherxh Laçi. Ai u prangos nga agjentët e drejtorisë së Anti-terrorit dhe të Komisariatit nr. 4, të cilët ishin sinjalizuar për atë që po ndodhte.

https://a2news.com/2022/11/06/qelia-ne-mes-te-tiranes-ku-radikali-kishte-ngujuar-familjen-e-tij/

Pas arrestimit, atij iu sekuestruan dy thika, një mjet tjetër prerës dhe disa shkopinj, mjete me të cilat mbante nën kërcënim dhe terror psikologjik anëtarët e familjes. Ndërsa pas kontrolleve të ambienteve përreth banesës, në oborr, u gjetën dhe sekuestruan 700 fishekë luftarak dhe krëhra automatiku.

Sipas dyshimeve të para, Laçi i mbante të ngujuar familjarët për shkak të bindjeve të tij radikale. Referuar deklarimeve të bashkëshortes së tij, fillimisht ai ka kyçur brenda 4 mureve gruan, e më pas ka penguar edhe fëmijët, të cilët nuk i ka lejuar të shkojnë në shkollë.

Sipas saj, fëmijët i ndalonte të dilnin duke iu thënë se “do të infektoheshin”. Në 6 muajt e fundit, ai ka kufizuar edhe daljet e tij, duke dalë nga shtëpia vetëm të premten për faljen e xhumasë. Familja Laçi ka jetuar në kufijtë e mjerimit, me tre të ngujuar dhe kryefamiljarin të papunë, pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm, pa televizor dhe pa mjete komunikimi.

Izolimi nuk kufizohej vetëm me mbylljen e derës, por edhe uljen e grilave e deri te perdet në verandë, për të mos u lejuar as të shihnin çfarë ndodhte jashtë shtëpisë së tyre. Sipas burimeve policore, pas arrestimit të 52-vjeçarit bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij janë vendosur nën kujdes psikologjik në një nga qendrat viktimave të dhunës në Tiranë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos