
Indrit Hoxha, një prej kundërshtuesit e parë të Bashës dhe mbështetës i Foltores së nisur nga Sali Berisha, tha se hapi i radhës tashmë për Partinë Demokratike është puna për riorganizimin e saj, që do të bëhet me komisionin e rithemelimit, të miratuar gjatë kuvendit kombëtar të së shtunës.
Ai tha se efektivët e Policisë së Shtetit që janë mbledhur rreth selisë së PD duhet të largohen. “I bëjmë thirrje Edi Ramës të largojë forcat speciale dhe gazin lotsjellës. Ajo seli nuk ka nevojë të mbrohet nga Edi Rama dhe Edi Rama nuk ka nevojë të mbrojë ish-ministrin e tij të opozitës. Ajo seli mbrohet nga 2 rojet e vetme që ka PD, 2 njerëz të nderuar. Hapi i radhës i kuvendit të PD, është ngritur një komision me 29 anëtarë, që do të zgjerohet me kalimin e ditëve, i cili do të riorganizojë strukturat dhe do të konkludojë me një kuvend më 22 mars të vitit 2022”.
I pyetur çfarë ndodh me kryetarin e PD dhe anëtarët e kryesisë të cilë nuk e njohin këtë kuvend, Hoxha tha: “Ata janë shkarkuar sot, por pavarësisht kësaj mbeten deputetë të PD. Me statutin e ri, Basha dhe Bardhi kanë mundësi të krijojnë fraksionet në PD dhe pse jo, kanë mundësi t’i bindin demokratët dhe ta rifitojnë partinë. Nuk ka kuvend nga Basha, ky kuvend, që është zyrtari, ka marrë një vendim për anulimin e vendimit të kryesisë së PD. Një vendim që ishte antistatutor, pasi një pjesë e anëtarë ve kanë qenë të komanduar. Më datë 18 ratifikohet votimi i sotëm”. (A2 Televizion)