
Ky është Luan Kapaj, komandanti i repartit zjarrfikës të Vlorës që në nëntorin e vitit 2019 së bashku me vartësit e tij shpëtuan dy jetë njerëzish në pallatin 6-katësh në Durrës, të cilit i ishin shembur plotësisht tre katet e para.
Sot më shumëse tre vite nga ajo tragjedi dhe me pamjet ende te freskëta të pasojave katastrofike të tërmetit në Turqi, Luani rikutjon ato përpjekje të motivuara nga dëshira dhe humanizmi për të shpëtuar jetë njerëzish dhe me shumë pak mjete në dispozicion.
Thënë ndryshe, tani Luani apelon se vetëm dëshira dhe guximi i zjarrfikësve nuk mjafton për të shpëtuar jetë njerëzish.
Ndërsa paga është në nivele që lë për të dëshiruar, trajtimi psikologjik i zjarrfikësve mungon fare.
Dhe sipas Luanit, këto janë elementë që ndikojnë drejtpërsëdrejti në momentin kur zjarrfikësi duhet të rrezikojë jetën për të shpëtuar personat në nevojë.
Eksperienca si zjarrfikës e ka bërë të kuptojë që edhe rekrutimi i efektivëve të rinj, nuk po bëhet ashtu si duhet dhe se aktualisht repartet zjarrfikëse në vend kanë shumë pak profesionistë të vërtetë.
Sa më shpejt autoritetet do t’i kushtojnë vëmendjen e duhur këtij shërbimi, aq më të sigurt do të jenë qytetarët në raste emergjence, në mënyrë që ngjarja e radhës mos t’i gjejë sërish zjarrfikësit vetëm me kazma dhe lopata në duar. (A2 Televizion)