
Lokalizohet në Turqi, kapet dhe vihet në pranga një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 14 vjet burgim për vrasje. Petro Tane (Petrit Tabaku), 49 vjeç, banues në Kuçovë u deportua për në Shqipëri, në tentativë për t’u futur në Turqi, me dokumente të falsifikuara.
“Pas marrjes së informacionit nga Policia Kufitare e Rinasit dhe strukturat hetimore të DVP Berat, u bashkëpunua me FAST Albania dhe pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policisë Kufitare shqiptare dhe asaj turke, për vendndodhjen dhe tentativën për t’u futur në Turqi, të 49-vjeçarit, i cili më parë fshihej në Greqi, u organizua dhe u finalizua operacioni i përbashkët policor mes Policisë së Shtetit dhe Policisë turke, i koduar Behram”, tha Policia e Shtetit.
Sipas Policisë, Tane ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2006 është dënuar me 14 vjet burgim nga Gjykata e Apelit Vlorë, për veprat penale “Vrasja" dhe "Armëmbajtja pa leje”. Në vitin 1997, në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasin A. S. (A2 Televizion)