
Jep dorëheqjen i gjithë bordi drejtues i “César Academy”, ekuivalenti i Oscar, i cili shpërndan çmimet për filmat më të mirë në Francë, pas kritikave që shpërthyen kohët e fundit për shkak të dhënies së 12 nominimeve për një film të Roman Polanskit.
Vendimi për të nderuar në këtë mënyrë filmin “Oficeri dhe Spiuni” të Polanskit solli reagimin e ashpër të grupeve feministe, të cilat bënë thirrje për bojkot të kësaj ceremonie
Këtyre zërave iu bashkuan qindra aktore, producentë dhe regjisorë, të cilët kërkuan një reformim të thellë të “César Academy”. Përmes një letre të hapur gjatë kësaj jave ata denoncuan disfunksionin e “César Academy” dhe mungesën e transparencës në mënyrën e menaxhimit.
Vendimi i bordit të “César Academy” për t’u tërhequr erdhi pak ditë përpara mbajtjes së ceremonisë së 45 të këtij evenimenti, i cili është parashikuar për t’u mbajtur në Paris më 28 shkurt.
Në një deklaratë për shtyp, akademia njoftoi se bordi vendosi në mënyrë unanime për të dhënë dorëheqjen për të rikthyer qetësinë dhe për të siguruar që festivali të mbetet thjesht festival. (A2 Televizion)