I ftohti, apo Covid-19?! Ministria mbyll shkollat, por jo kopshtet. Nxënësit me ngrohëse nga shtëpia

Nga A2 CNN
21 Janar 2022, 16:09 | Aktualitet
I ftohti, apo Covid-19?! Ministria mbyll shkollat, por jo kopshtet.

Investimet miliona euro për ndërtimin e shkollave të reja nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit të ngrohjes në këto institucione. Edhe ky dimër i gjen nxënësit me ngrohëse, të cilat i marrin nga shtëpitë e tyre.

Disa nxënës me xhupa e disa të tjerë duke u munduar të zënë një vend pranë rezistencave që i kanë blerë vetë, kështu kalojnë orët e mësimit në klasa. Ata shprehen se në shkolla ka kaldaja, por ato thuajse nuk vihen në punë. “Në klasë kemi vetëm një rezistencë dhe atë e kemi blerë vetë që në klasë të gjashtë. Mblodhëm lekët të gjithë dhe e blemë. Tani jemi në klasë të nëntë”, tregon një nxënës.

“I kemi blerë vetë ngrohëset, pasi kaldajat nuk punojnë. Nuk kanë punuar që prej fillimit të vitit”, shprehet një tjetër nxënëse.

Prindërit dhe gjyshërit mbështesin mbylljen e shkollës pasi në këto kushte bëhet i pamundur zhvillimi i mësimit. “Më mirë që i kanë mbyllur pasi do të mërdhijnë. Ngrohje ka pasur, por temperaturat janë shumë të ulëta”, shprehet gjyshi i një prej nxënëseve.

Por, a është vetëm i ftohti arsyeja e mbylljes 3-ditore të shkollave? Burime për A2 CNN  bëjnë të ditur se këtë periudhë ka mungesa të shumta të nxënësve dhe mësuesve, të cilët janë me shenja të gripit ose të konfirmuar pozitiv me koronavirus. Vetë nxënësit tregojnë për frekuentimin aktual në shkolla. “Kemi disa nxënës që nuk vijnë në shkollë ose janë vetë të infektuar ose u janë infektuar prindërit”, tregon një nxënës. “Sot kishim 6-7 mungesa, madje mungonin edhe disa mësues”, tregon një tjetër nxënës.

Ndërsa në dikasterin më të lartë të arsimit prej kohësh mungon informacioni për publikun, por jo ngrohja për zyrtarët e saj. Lajmin për mbylljen e shkollave për të paktën 3 ditë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e bëri nëpërmjet Facebook, duke u mohuar kështu gazetarëve një deklaratë për shtyp. Ndonëse interesi ishte i lartë nga media për këtë çështje, asnjë nga përfaqësuesit e ministrisë nuk u lejua të kishte një komunikim publik për mediat.

Edhe më i pabesueshëm bëhet vendimi për mbylljen e shkollave nga i ftohti, kur prej tij përjashtohen fëmijët më të vegjël. Sipas Ministrisë, kopshtet dhe çerdhet që varen nga pushteti lokal, do të vijojnë të jenë të hapura, pavarësisht temperaturave të ulëta deri -17 gradë celsius. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/01/20/vala-e-te-ftohtit-ne-vend-kushi-njofton-mbylljen-e-shkollave/

A2 CNN Livestream

Latest Videos