
“Omicron është konsideruar si një mundësi për të përfituar një imunizim natyral në mes të një skepticizmi të shtuar për vaksinim”. Kështu u shpreh në "Dita jonë" mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, duke folur mbi rastet e shtuara të variantit Omicron në vend. Sipas tij, Omicron ka transmetueshmëri të lartë, por klinikisht më i lehtë, teksa solli në vëmendje rastet e shtrimeve në spital krahasuar me një vit më parë.
“Jemi në një moment kur shifrat e rasteve të infektuara janë në rritje të shpejtë, kjo sepse Omicron ka transmetueshmëri të lartë, por klinikisht e lehtë. Kemi ritëm konstant shtrimesh në spital. Po ta krahasojmë me një vit më parë janë 140 të shtruar, kurse një vit më parë kishim 280 të shtruar. Numri i shtrimeve në raport me personat pozitivë është më i vogël. Omicron është konsideruar si një mundësi për të përfituar një imunizim natyral në mes të një skepticizmi të shtuar për vaksinim. Omicron ka 35-40 mutacione supozohet se do të japë mbrojtje të gjerë për ndonjë variant të mundshëm që mund të vijë më pas”.
Por pavarësisht imunizimit natyral, që më shumë vlen për skeptikët ndaj vaksinave, Pipero apelon për vaksinim si e vetmja mënyrë për fundin e pandemisë, së bashku me respektimin e masave.
“Ne e shohim si fillimin e fundit të kësaj pandemie për të dhënë imunizim natyral të shpejtë. Por vaksinimi është zgjidhje për fundin e shpejtë të kësaj pandemie. Ne nuk presim fundin e pandemisë nga një imunitet natyral, por duke bashkuar të gjitha forcat e masat që nga vaksinimi. Ata që nuk janë vaksinuar të vaksinohen sa më shpejt. Omicron është një mundësi për të përfituar imunitet natyral te skepticistët. Unë rekomandoj e inkurajoj qytetarët për mbrojtje më të sigurt që është vaksinimi. Omicron është i lehtë, por jo të gjithë kanë fatin ta kalojnë lehtë”.
Aktualisht, në vendin tonë qarkullon veç Omicronit edhe varianti Delta dhe gripi stinor, ndaj Pipero këshillon qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të mos përdorin antibiotikë pa lejen e mjekut dhe të trajtohen fillimisht me medikamente antiperitikë.
“Aktualisht te ne, përveç Omicronit, është dhe Delta dhe viruset e gripit stinor, ndaj është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm, maska mbetet masa kryesore për të parandaluar. E kemi të vështirë dhe ne mjekët të diferencojmë klinikisht nëse është Omicron, grip apo Delta, por çdo qytetar të marrë kontakt me mjekun e familjes. Këshilla kryesore është të mos nxitohemi të përdorim antibiotikë pa lejen e mjekut. Virusi nuk trajtohet me antibiotikë. Ditët e para rekomandohen medikamente antiperitikë, çaji, ajrosja e ambienteve të shtëpisë. Unë nuk këshilloj izolimin pa qenë të bindur, por duhet të jemi të kujdesshëm. I vetmi medikament në kushte shtëpie janë antiperitikët si paracetamoli. Dhe askush të mos nxitohet nëse temperatura është 37 gradë. Në asnjë mënyrë të mos merren antibiotikë pa lejen e mjekut”.
Pipero paralajmëroi se fundi i kësaj pandemie do të jetë nga mesi i verës, por ai këshillon qytetarët që të vaksinohen për ta përafruar atë. Sa i takon periudhës së rikuperimit të të prekurve me Omicron, ai thekson se për të vaksinuarit duhen 3-5 ditë, kurse për të pavaksinuarit një javë.
“Pothuajse 100% e rasteve të rënda janë të pavaksinuar. Vaksina të mbron. Koha e rikuperimit të pacientëve të infektuar me Omicron për personat e vaksinuar është 3-5 ditë për të vaksinuarit nuk do të rekomandoja fare as ribërjen e tamponit as qëndrimin në karantinim. Për të pavaksinuarit një javë. Jemi afër fundit të pandemisë, do të kemi verë të qetë me raste sporadike, por jo të flemë mbi dafina. Fundi i kësaj pandemie do të jetë gjysma e kësaj vere. Qytetarët të vaksinohen dhe të kujdesen duke mbajtur maskën ku duhet”. (A2 Televizion)