
Moshat më të prekura aktualisht nga varianti Omicron janë 20-40 vjeç, pastaj mosha pediatrike dhe për fat mosha e tretë pak. Kështu u shpreh në edicionin "Ditari" në A2 CNN nëndrejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku, i cili theksoi se jemi në pikun e qarkullimit të infeksioneve, për shkak të variantit Omicron, Delta dhe gripit stinor.
“Jemi në ditët e nxehta dhe kjo do të thotë që parashikimet tona thonë që edhe 10 ditë shifrat mund të tejkalojnë pritshmëritë. Jemi në pikun e qarkullimit të Omicron dhe të infeksioneve virale në vendin tonë. Padiskutim që përmbysja e shifrave është rrjedhojë e Omicron. Nëse me Deltën kishim pikun e rasteve deri në 1 mijë, me Omicron kaloi në 2800 raste në ditë. Ne kemi dyshime serioze që na kanë dalë të pranueshme, por nuk e themi dot 100%, por në laborator themi që është i ngjashëm me Omicron dhe Deltën. Moshat më të prekura janë 20-40 vjeç, pastaj mosha pediatrike dhe për fat mosha e tretë pak, më e përkëdhelur nga qarkullimi i virozave”.
Sipas Ulqinakut, kjo valë do të jetë e fundit shqetësuese për vendin tonë. Ai theksoi se edhe për 2 muaj do të ketë përditë jetë të humbura si pasojë e këtij virusi, por nga mesi i shkurtit do të ketë rënie të rasteve.
“Besoj që ditët e para të shkurtit do të vazhdojë me intensitet të lartë me rritje ose në këto shifra. Nga mesi i shkurit do të kemi një trend rënie dhe besoj në vjeshtë nuk do t’i kthehemi këtyre muhabeteve. Fakti që disa vende kanë filluar të lehtësojnë masat kanë arritur një mendim të bazuar në studime se jemi afër imunitetit të tufës. Kjo valë do të jetë e fundit shqetësuese për vendin tonë. Historia na bën të jemi optimistë, që me kalimin e valës së dytë apo të tretë virusi zbutet. Vetëm një çudi do të sillte një ashpërsim të koronavirusit. Nëse flasim për këtë pandemi, nuk duhet të presim çudira. Do të ishte mirë ta kalonim të gjithë se imuniteti natyror është më i mirë se ai i fituar. Edhe për 2 muaj do të dëgjojmë përditë jetët e humbura si pasojë e këtij virusi. Ne kemi në dorë edhe mbylljen e pandemisë. Nëse duam t’i kthehemi një qetësie duhet të vaksinohemi. Nuk është kurrë vonë që të marrim vaksinën”.
Mbyllja e shkollave, theksoi Ulqinaku i bën mirë situatës se ndërpret zinxhirin 5-ditor të inkubacionit të virusit.
“Nuk ka qenë një sugjerim yni i drejtpërdrejtë, por na ka ardhur për shtat se kjo masë i bën mirë situatës epidemiologjike se është një 5 ditësh që ndërpret zinxhirin”.
Ai shtoi se deri më tani nuk ka të identifikuar në vendin tonë me flurona, por sugjeroi që të tregohet kujdes dhe të mos nxitohen në mjekim.
“Nuk kemi identifikuar raste me flurona një infektim me dy viruse. E mira është të mos përdoren antibiotikë se kjo kalon me inkubacionin. Nuk ka mjekim specifik, është mjekim simptomatologjik, por sugjerimi është të mos nxitohemi. Është një virozë që ka humbur ashpërsinë e vet. Duhet të identifikohet e testohet dhe jo të jemi në panik”. (A2 Televizion)