
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, deklaroi për emisionin “I Ftuari” në A2 CNN se nga data 1 korrik do të ulen tarifat “roaming” me vendet e Ballkanit, ndërsa “në një të ardhme të afërt” do të mund të flasim në celular “me çmime më të lira edhe me vendet e Bashkimit Evropian”.
Në një intervistë të zhvilluar në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës, aty ku ndodhet Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Bregu u shpreh: “Ulja e tarifave të telefonisë celulare është një nga marrëveshjet që e gjeta të iniciuar dhe nga muaji janar kemi kryer të gjitha fazat e negocimit. Nënshkrimi i një marrëveshjeje që ul çmimet nuk është aq e lehtë. Pavarësisht se është vullnet politik nga kryeministrat, është e vështirë që të bindësh operatorët. Po koordinojmë marrëdhënien ndërmjet rregullatorëve dhe operatorëve të telefonisë, duke bërë të mundur reduktimin e tarifave të telefonatave dhe sms-ve nga data 1 korrik, duke krijuar një periudhë tranzicioni 2-vjeçare që do të ulë në mënyrë progresive tarifat. Në vitin 2021 kalojmë në sistemin 0 për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Më tej, Bregu theksoi se “në momentin që u nënshkrua kjo marrëveshje, i hapëm derën mundësisë për të filluar negocimin për uljen e tarifave me vendet e Bashkimit Evropian”.
“Në një të ardhme të afërt do të flasim zero me Ballkanin dhe me çmime më të lira me vendet e BE-së”, deklaroi Bregu, e cila shtoi se po punohet “edhe për njohjet e diplomave dhe shpresoj shumë që në Samitin e Poznanit (4 korrik) të kemi një zhvillim”.
“Deri më sot, asnjë nga vendet nuk ka shprehur probleme politike për diplomat. Marrëdhënia Serbi-Kosovë nuk influencon në çuarjen përpara të gjithë axhendës rajonale. Jo se nuk ka efekte si çështje, por ne do të vazhdojmë që të çojmë përpara axhendat”, tha Bregu.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal nënvizoi më tej: “Kemi edhe një projekt shumë solid për turizmin. Jemi duke identifikuar rrugë të reja alternative për turizmin aventuror në Ballkan dhe për turizmin kulturor”. (A2 Televizion)