
Kësaj radhe ishin Forcat Operacionale të policisë ato që hodhën knockout boksierin e Shkodrës Nelson Hysa, i kërkuar nga viti që shkoi, pasi ishte pjesë e grupit të Bajrave.
Ai u kap këtë të shtunë te “Komuna e Parisit”, në Tiranë, ku qëndronte në një banesë me qira dhe nuk shfaqi rezistencë gjatë arrestimit. Hysa mbeti i plagosur në vitin 2017, pas konflikteve me grupet rivale.
Ai ishte i fundit i grupit “Bajri” që kishte mbetur në arrati, pasi pak muaj më parë u arrestua në Spanjë edhe Enver Bajri, ndërsa Safet Bajri u prangos shtatorin e vitit të kaluar, kur kryepolici Ardi Veliu dhe Donika Prela, shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lajmëruan mega operacionin.
Anëtarët e këtij grupi kriminal akuzohen për vrasje, gjobëvënie, trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni, ndërsa aktiviteti i tyre kriminal shtrihej përtej Shkodrës, drejt plazheve të veriut të Shqipërisë, si dhe në disa vende të Evropës si Spanja apo Holanda. (A2 Televizion)