“I gjithë Durrësi flet për ty”, Berisha-akuza Manjës: Ti i tregove Dakos që do të arrestohej

Nga A2 CNN
8 Qershor 2023, 13:05 | Politikë
“I gjithë Durrësi flet për ty”, Berisha-akuza

Sali Berisha ka akuzuar ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, se ka informuar ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako se do të arrestohej me urdhër të SPAK.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për nxjerrje të sekretit hetimor për dosjen e Vangjush Dakos, pasi lajmi për arrestimin e tij nisi të qarkullonte disa ditë përpara se të ekzekutohej masa e arrestit.

Megjithatë, sipas Berishës, sekreti është nxjerrë nga vendi kreu i “Drejtësisë”, Ulsi Manja.

Ulsi Manja e nxori sekretin për arrestimin e Vangjush Dakos. Ky është njeriu i pazareve të Edi Ramës. I gjithë Durrësi flet për ty, ke nxjerrë sekretin. Je një lloj Jagoje, që ke vetëm veten shok....Ligji thyhet për të ndihmuar klanet e tmerrshme të krimit dhe mafies shqiptare në botë. Të gjitha targat u nxorën në treg, një nga këta që rrinë mbrapa shpine, sepse duhet t’i mësonin kriminelët për të kalibruar nishanin e tyre”, tha Berisha nga foltorja e Kuvendit.

Kreu i Rithemelimit bëri po ashtu të ditur se ndaj Manjës po përgatitet një dosje ndërkombëtare për krime elektorale.

Ministri nga ana tjetër, përsëriti qëndrimin e mbajtur nga shumica socialiste për arrestimet e bëra së fundmi mes radhëve të tyre. Manja theksoi se këto janë fryte të reformës në Drejtësi.

“Unë edhe ti të shkojmë para drejtësisë. Ti do të shkosh para meje. Më në fund reforma në Drejtësi, po prodhon rezultate të prekshme për qytetarët shqiptarë. Unë për këtë ditë kam pritur. Shoh që sot je ti më i shqetësuar se unë për këtë Drejtësinë e Re.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos