
Sot jepet masa e sigurisë për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Vangjush Dako dhe disa zyrtarë të tjerë të këtij institucioni akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”.
Sipas njoftimit të SPAK, duke iu referuar tenderit për shëtitoren e Durrësit, tarifa e studimit dhe vlera e fondit limit u llogarit dhjetë herë më e lartë se sa duhet të ishte.
A2 CNN ka siguruar dosjen e plotë hetimore kundër ish-kryebashkiakut dhe 9 ish-zyrtarëve e biznesmenëve, ku Prokuroria e Posaçme i akuzon për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.
Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.
Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua. Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë. Sipas SPAK, Vangjush Dako, jo vetëm nuk ka marrë masa për Kontrollin e Komisionit të Llogaritjes së Fondit Limit, por ka miratuar dhe urdhrin e prokurimit me vlerën e propozuar nga ky komision, çka i është shkaktuar dëm shtetit në vlerën 18 milionë Lekë. (A2 Televizion)