
Projektligj për Policinë Bashkiake, i dërguar për diskutim në Kuvend, këtë të premte, ka shkaktuar debat mes socialistëve dhe demokratëve.
Deputetja e opozitës, Dhurata Çupi, kundërshtoi një pikë në projektligj, ku sipas saj thuhet se efektivët e këtij institucioni do të rekrutohen edhe nga administrata publike.
“Edhe e quani polici bashkiake, por pastaj thoni se do t’i rekrutoni nga administrata publike. I keni zgjedhur që të jeni të gjithë të tuajt dhe po e bëni këtë që t’iu shërbejnë për zgjedhjet vendore të 14 majit. Nëse nuk e keni politike, atëherë miratojeni pas 14 majit. Shyqyr që janë dy javë pushime, se kushedi çfarë do të sillni deri për zgjedhje”, tha Çupi.
Kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka, hodhi poshtë pretendimet e saj, duke thënë se edhe punonjësit e administratës dhe të policisë kanë të drejtën të organizohen në parti politike. “Brenda orarit të punës e kanë të ndaluar, pas orarit të punës nuk ua ndalojmë dot”, tha ajo.
Zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila, i cili ishte thërritur në komision për projektligjin, shtoi: “Nuk mund të jetë anëtar i partisë politike. Sa i takon termit “polici”, nëse gjendet term tjetër jemi dakord. Është quajtur polici bashkiake sepse do të kenë një uniformë”. (A2 Televizion)