
Jacob Blake, burrit me ngjyrë i cili u qëllua pas shpine 7 herë nga një polic në Uiskonsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që aktualisht ndodhet i paralizuar në spital, i janë hequr prangat.
Policia e Kenoshës sqaroi se Blake ishte nën arrest për disa shkelje të mëparshme dhe prangat janë procedurë normale. Avokati i tij tha se akuzat e mëparshme kanë rënë dhe tani nuk ka më as policë roje për të që qëndrojnë në spital.
Trajtimin me pranga në spital e denoncoi dje familja e Blake. “Kjo është një fyerje për të plagosurin”, u shpreh xhaxhai i afro-amerikanit, Justin Blake, për CNN. Gjithashtu, ai shtoi se kjo është e padrejtë dhe e pakuptimtë pasi Jacob Blake është i paralizuar dhe nuk mund të ecë.
Të dielën e kaluar, Jacob Blake u qëllua me 7 plumba nga policia pasi nuk iu përgjigj thirrjes së agjentëve për të ndaluar dhe hapi derën e makinës.
Autoritetet po tentonin ta shoqëronin atë në komisariat pasi kishin marrë një telefonatë nga ish-partnerja e Blake për shkelje të pronës private. Plagosja nga policia nxiti një valë të re protestash me sfond racor në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë trazirave pati dhe dy viktima. (A2 Televizion)