Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Bristol të Britanisë së Madhe, ku një i ri goditi me grusht një burrë me aftësi të kufizuara. Pamjet e publikuara në mediat vendase tregojnë një djalosh që rrëzon një burrë nga karrigia e tij me rrota me një grusht të egër.
Viktima u rrëzua me shpinë në tokë nga karrigia me rrota nga forca e goditjes. Incidenti ndodhi gjatë orëve të para të së premtes përpara stafit të sigurisë dhe klientëve të tronditur jashtë lokalit BSB në lagjen ujore të Bristolit.
Pamjet e kapura nga një person me celularin e tij, më vonë u bënë virale në rrjetet sociale, ndërsa në të shihet se si dy persona, i afrohen viktimës dhe më pas njëri prej tyre e qëllon me grusht duke e shembur në tokë. Pas incidentit dy autorët u larguan.
Sipas mediave britanike, shkak i reagimit të dhunshëm ishte fakti se viktima i shkeli këmbën me karrigen e tij me rrota autorit, ndaj të cilit tanimë Policia e Avon dhe Somerset kanë nisur një hetim. (A2 Televizion)