
Policia e Korçës ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë, ku u shkrumbua një automjet në lagjen 5 të këtij qytetit. Sipas Policisë djegia e automjetit tip "Volkswagen" ka qenë e qëllimshme, ndërkohë që ka arrestuar dy autorët që i vunë zjarrin.
Nga veprimet hetimore dhe nga provat e siguruara rezultoi se një 27-vjeçar dhe një 38-vjeçar janë autorë të dyshuar të djegies së automjetit, në përdorim nga një 28-vjeçare dhe në pronësi të vëllait të saj. Nga hetimet e kryera rezulton se 38-vjeçari në muajin dhjetor 2022, e ka kanosur nëpërmjet telefonit 28-vjeçaren.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 27-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël municioni luftarak. Gjithashtu, u sekuestruan veshje dhe një automjet që ka përdorur në këtë ngjarje.
Njoftimi i Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 24.04.2023, në lagjen nr. 5, Korçë, ku u dogj një automjet, bënë të mundur identifikimin e 2 autorëve të dyshuar të saj. Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R. B., 27 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë dhe G. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Dishnicë, Korçë.
Nga veprimet hetimore dhe nga provat e siguruara rezultoi se këta dy shtetas janë autorë të dyshuar të djegies së automjetit tip "Volksëagen", në përdorim nga një 28-vjeçare dhe në pronësi të vëllait të saj. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi G. Ç., në muajin dhjetor 2022, e ka kanosur nëpërmjet telefonit këtë shtetase.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit R. B., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël municioni luftarak. Gjithashtu u sekuestruan veshje dhe një automjet që ka përdorur shtetasi R. B., në këtë ngjarje.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)