
Policia e Tiranës ka zbardhur tentativën për djegien e automjetit në pronësi të UKT-së në Bashkinë e Tiranës dhe ka vënë në pranga autorin e kësaj ngjarjeje.
Në operacionin e koduar "Oktan" u arrestua 28-vjeçari me iniciale E. J. për veprat penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Prodhimi e mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive".
Bazuar në provat e grumbulluara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 ka rezultuar se ky shtetas, më datë 25.03.2022, ka hedhur një shishe, të dyshuar me lëndë djegëse, poshtë një automjeti në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një thikë, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, një shishe plastike e mbushur me benzinë, një pushkë sportive (detare), një biçikletë dhe dy aparate celulare. (A2 Televizion)