
Zlatan Ibrahimovic, në një intervistë për “Radio Deejay”, u shpreh se humbja ndaj Liverpool dhe eliminimi nga Champions League kanë sjellë zhgënjim të madh te Milani, por theksoi se tani duhet nisur “lufta” për titullin kampion në Serinë A.
“Jemi të zhgënjyer për largimin nga Champions, por tani do të luftojmë për të fituar titullin në Itali. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar kampionatin dhe nuk do të dorëzohemi. Në dështim mund të gjesh bazën e suksesit, do të rritemi dhe do të grumbullojmë përvojë nga të gjitha”, deklaroi sulmuesi suedez.
Ibra u pyet edhe mbi faktin që nuk e ka fituar ndonjëherë Topin e Artë dhe Champions League.
“Nuk e di pse nuk ma kanë dhënë kurrë Topin e Artë, por unë mendoj vetëm të luaj futboll. Varet se si i shikon gjërat. Messi e fitoi Topin e Artë, por thonë që e meritonte Lewandowski. Edhe Champions nuk kam fituar, por kjo nuk e bën më të pavlerë karrierën time. Nuk më ulen as cilësitë, pasi kam fituar tituj të tjerë”, tha Ibra. (A2 Televizion)