
Në konventën e parë të partisë së Lirisë Ilir Meta shpalli platformën politike për zgjedhjet e ardhshme. Aktiviteti që në letër parashikonte zgjedhjen e kryetarit u kthye në rikonfirmin dejure të asaj qëndodh defacto pasi në fletën e votimit ishte vetëm një kandidat. Pa asnjë rival brenda partisë, Meta mori kohën kryesore duke shpalosur edhe misionin e tij për kundërshtarët politik.
“Sot, së pari qytetarët presin prej Partisë së Lirisë heqjen e prangave dhe shembjen e burgut ku po jetojnë... dhe ne do ta shembim”, tha Meta.
Diskursi 60-minutësh u fokusua më së shumti tek çështjet ekonomike duke vënë në dukje edhe dallimin ndërmjet dy krijesave politike të Ilir Metës. Nëse LSI ishte një parti e qendrës së majtë, Partia e Lirisë ka filluar të anojë djathtas sa i përket politikave ekonomike. “Rivendosjen e taksimit të sheshtë dhe ulur shkallet tatimore me qëllim formalizimin e ekonomisë dhe të përmirësimit të administrimit fiskal”.
Për të vënë në jetë idetë e tij, opozita duhet që të marrë drejtimin e vend, dhe përplasjen e parë elektorale do ta bëj në zgjedhjet vendore të 2023. “Tirana ka nevojë për fitoren e opozitës dhe të programit të saj për shpëtimin e Tiranës dhe të gjitha bashkive të vendit”.
Për zgjedhjet vendore Ilir Meta firmosi bashkëpunimin politik me Partinë Demokratike, ku përpara zgjedhjeve, opozita ka sfidën e protestës së 12 nëntorit. (A2 Televizion)