
Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Partisë Demokratike, i ftuar në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, komentoi marrëveshjen mes Sali Berishës dhe Ilir Metës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
“Në eksperiencën time 20-vjeçare, shoh në këtë marrëveshje një dimension që ka kohë që nuk e kam parë. Një marrëveshje e këtillë krijon dimensionin për të ndryshuar zhvillimet politike. Një marrëveshje e nënshkruar nga dy personalitete të politikës, të cilët kanë ditur të bëjnë marrëveshje, i kanë qëndruar atyre dhe ato marrëveshje kanë çuar në sukses”, tha Bylykbashi.
“Është një marrëveshje reale politike dhe besoj se Edi Rama e ka parë me siklet. Jam i sigurt që nuk e kishte menduar këtë marrëveshje që synon fitoren. Është marrëveshje politike, me pak teknikalitete”, shtoi nënkryetari demokrat.
Sipas tij, “të dyja partitë janë angazhuar për të kthyer referendumin që mungon prej 25 vitesh”. (A2 Televizion)