Tre vjet nga nisja e punimeve, vjen edhe afati për inaugurimin e stadiumit të ri të Kukësit. Impianti po shkon drejt përfundimit dhe objektivi është që aty të luhet prej sezonit të ardhshëm. Me shpresën se edhe tifozët do të rikthehen në tribuna.
“Në shtator ta inaugurojmë stadiumin dhe të zhvillojmë ndeshje me ekipin e Kukësit këtu. Së bashku me kryetarin do të ndërtojmë një infrastrukturë të plotë, një projekt zhvillimi për futbollin në Kukës. Dëshira e futbollistëve dhe çdo njeriu që merret me sport, është të ketë spektatorë. Por duke marrë parasysh që shëndeti mbi të gjitha, ne nuk mund të insistojmë që ne duhet të kemi tifozë. Janë ata që vendosin rregullat dhe protokollet, dhe që përgjigjen për ruajtjen e shëndetit tonë. Të urojmë dhe të shpresojmë që në shtatori të jemi me kapacitet të plotë në stadiume dhe në çdo aktivitet të jetës tonë”, deklaroi presidenti i Federatës, Armand Duka.

Për presidentin Safet Gjici, njëkohësisht edhe kryebashkiak i Kukësit, ndërtimi i stadiumit është kupa më e rëndësishme, në këtë sezon të dështuar në aspektin sportiv.
“Kur të kthehemi në shtëpinë tonë do pretendojmë titullin sepse do bëjmë një skuadër konkurruese. Gjithsesi, kupa e kupave është stadiumi. Askush nuk e mendonte se këtu do bëhej një stadium i tillë. Ka filluar puna për sezonin e ardhshëm”, nënvizoi ai. (A2 Televizion)