In Memoriam, Piro Mani

Nga A2 CNN
5 Qershor 2021, 19:07 | Aktualitet
In Memoriam, Piro Mani

Shuhet në moshën 89-vjeçare aktori, regjisori dhe dramaturgu Piro Mani. Dhjetra shfaqje teatrale në skenat tona mbajnë konceptin regjisorial të këtij artisti të shkëlqyer, i cili ndahet nga jeta fizikisht, por që ka lënë gjurmë të mëdha në kinematografi dhe në teatrin shqiptar. 

Piro Mani ka qenë për tetë vite drejtues i Teatrit të Korçës, qytetit të tij të lindjes, por më së shumti është shënuar në memorien e popullit për rolin e Sali Protopapës në “I teti në bronz”, por edhe për regjinë e jashtëzakonshme të Shekspirit, që theu rekordin e shikueshmërisë në teatrin shqiptar.

Piro Mani e ktheu kryeveprën e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në një vepër që fliste përmes aktorëve që ai vetë përgatiti me përvojën dhe punën e tij. Prej vitesh artisti jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me familjen, dhe i pandashëm nga shoqja e tij e jetës, artistja Pavlina Mani, e që së bashku në kthimet e pakta në atdhe shprehnin shpesh mall për Shqipërinë dhe jetën artistike këtu.

Bashkë do të kishte dashur t’i shihte me siguri sërish Piro Mani aktorët e teatrit që ndërtoi me copëza arti ai. E bashkë u bënë thuajse të gjithë për të nderuar punën dhe thesarin që ai lë pas.

Piro Mani mban titullin “Artist i Popullit”, por më shumë se një titull ai ishte artisti që na la me firmën e tij mbi 80 koncepte regjisoriale si thesar në fondin e Teatrit dhe pasdiskutim breza artistësh me të cilët sot skenat tona teatrale frymojnë përmes tij.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos