
“Do të ketë edhe zhvillime të tjera, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vendit lidhur me inceneratorët. Mbajeni mend këtë gjë!”
Kështu u shpreh në A2, Enkelejd Alibeaj teksa foli mbi tri kallëzimet e bëra në SPAK, në lidhje me inceneratorin e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
Alibeaj u shpreh se shqiptarët presin përgjigje mbi aferën 500 milionë euro, ndërsa SPAK, tha ai, është në test për të treguar veten.
“Rama përfiton nga pasiviteti i SPAK-ut”
“Zanati i vetëm i Ramës është të vendosë epitete ndaj kundërshtarëve. Por unë besoj se ky njeri duhet të jepte disa shpjegime mbi aferën mbi 500 milionëshe. Problemi janë shpjegimet që duhet të japë ai, ku kanë shkuar 500 milionë euro të inceneratorëve. Ndërkohë, ne kemi sjellë fakte të njëpasnjëshme sesi ligji është shkelur dhe paratë e shqiptarëve kanë shkuar në xhepa misteriozë. Ne shpresojmë që SPAK-ku t’i zbulojë. Pasi SPAK-u të nisë nga puna, atëherë do të shihni sesa kreativ do të jetë ky njeri në etiketimin e kundërshtarëve. Përfiton pikërisht nga pasiviteti i SPAK-ut”.
“SPAK, ‘qeni roje’ i parave të shqiptarëve do të duhet të veprojë”
“Ne e kemi denoncuar këtë aferë që në kohën kur ishim në parlament. Tabaku ka mbajtur një interpelancë në Parlament. Nuk e kishim imagjinuar se do të shkonte deri në 500 milionë. Hap pas hapi, dokument pas dokumenti, krijuam një panoramë të qartë të këtij skandali. Kuptohet kur je në këtë situatë pandemie dhe të shohësh se si paratë e shqiptarëve bëhen rrush e kumbulla, kjo është një gjë për të ulëritur. Ne kemi qenë të përballur me një numër të madh skandalesh. Fakti që kemi pasur kaq shumë denoncime, mund të krijohet edhe një ide e gabuar që ky ka ardhur në këtë kohë dhe nuk ka qenë më parë. E rëndësishme është që ne kemi grumbulluar materialin dhe po vendosim në test drejtësinë e re. Të gjithë jemi sy e vesh që paratë e shqiptarëve të mos shkojnë në drejtim të paditur. “Qeni rojë” i parave të shqiptarëve do të duhet të veprojë”.
“SPAK-u të tregojë veten edhe pse ka qenë pasiv”
“Janë ndarë në 3 kallëzime, pasi tipologjia e shkeljes ligjore është e ndryshme. E vetmja gjë që është e përbashkët janë vetëm aktorët. E njëjta dramë që luhet mbi fatkeqësinë e shqiptarëve. Ne kemi qenë skeptik mbi reformën në drejtësi. Dikur shiheshim, ndoshta, edhe me një lloj qortimi nga brenda dhe nga jashtë Shqipërisë, se dukeshim sikur nuk e dëshironim shumë reformën në drejtësi. Ja pra, nuk paska qenë e vërtetë. Imagjinata jonë e dikurshme se pushteti do të kapte sistemin e drejtësisë, nuk do të ishte kaq e vërtetë. Sot shohim se ka një pasivitet të theksuar të drejtësisë së re dhe mbi të gjitha të SPAK-ut. Atëherë, sjellja më e mirë e një opozite është t’i japim shansin SPAK-ut të tregojë veten”.
“SPAK-u nuk do të veprojë, por pas 6 muajsh të gjithë do të mbajnë përgjegjësitë”
“Ne kemi treguar se ligji është shkelur nga kryeministri. SPAK-u, me shumë gjasa është i kapur nga kryeministri. Ligji është shkelur, paraja është vjedhur, organi i cili do të duhet të zbatojë ligjin dhe të ndëshkojë ata që kanë shkelur ligjin dhe të rikuperojë paranë e vjedhur, SPAK-u, nuk do të veprojë në këto momente. Pyetja është, pse? Unë e kam përgjigjen. Historia nuk mbaron tani as pas disa muajsh. Besoj se pas 6 muajsh do të rifillojë një histori tjetër. Ne po i japim mundësinë dhe shansin edhe SPAK-ut se në qoftë se ne i çojmë letra dhe ata i fshehin poshtë sirtarit, duke mos vepruar, kjo është edhe përgjegjësi e tyre. Do të vijë një kohë kur të gjithë do të japin një përgjigje, që nga kryeministri, ministrat dhe duke vazhduar deri te personat që janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Paratë e shqiptarëve nuk do të ngelin pa një përgjigje. Sot mund të mos veprojnë, por nesër do të japin përgjegjësi”. (A2 Televizion)