Inceneratori i Fierit, Bllako: Akuzat e SPAK, pjesë e një agjende hakmarrjeje ndaj meje

Nga A2 CNN
19 Qershor 2023, 12:27 | Kronikë
Inceneratori i Fierit, Bllako: Akuzat e SPAK, pjesë e një agjende

Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako, i cili është marrë i pandehur nga drejtësia në dosjen e inceneratorit të Fierit ka hedhur akuza në drejtim të SPAK.

Në nisje të seancës së konkluzioneve të mbrojtjes, ai e konsideroi një goditje të orkestruar dhe me agjendë mosndryshimin e akuzave ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme.

Ish-deputeti tha se nuk ka qenë zyrtar i lartë publik, por funksionar i lartë civil.

"Kush konsiderohet funksionar i lartë shtetëror e përcakton Kushtetuta. E ftova prokurorin në seancën paraprake të citonte një ligj të vetëm se ku bazohet, nuk dha sqarime sepse diçka e tillë nuk ekziston. Është njësoj si gjykata të çojë për gjykim çështjen me akuzën shpërdorim detyre, ndërsa në konkluzionet përfundimtare prokuroria të ngrejë akuzën vrasje me paramendim. Është haptazi shpërdorimi i prokurorit, me qëllim hakmarrjen personale”, tha Bllako.

Bllako drejtoi gishtin nga organi i akuzës, pasi SPAK në pretencë u rikthye tek akuzat fillestare, duke anashkaluar vendimin e gjyqtares paraprake.

"Shkelja e ligjit është aq flagrante se nuk di nëse ka të bëjë me injorancën profesionale apo një hakmarrje personale. Vetëm SPAK mund të akuzojë për një detyrë që nuk ka qenë detyra ime. Standard i hapur esktraligjor, duke çuar përpara një agjendë hakmarrjeje personale ndaj personit tim", nënvizoi ai.

Ai paralajmëroi se për shkeljet e konstatuara do të paraqesë ankimim në KLP, e madje do ta ndjekë çështjen deri në Strasburg.

Një atentat ndaj gjykatës paraprake. Një shkelje e tillë jo vetëm do ankimohet në KLP, por deri në Strasburg", u shpreh Bllako. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos