Incident në Maliq, Edmond Spaho përleshet me një person brenda qendrës së votimit, palët akuzojnë njëra-tjetrën

Nga A2 CNN
14 Maj 2023, 13:32 | Politikë
Incident në Maliq, Edmond Spaho përleshet me një person brenda

Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, ka shpërndarë një video të cilën tha se ia kanë dërguar në telefon, ku shihet deputeti i Rithemelimit, Edmond Spaho, që tërheq një qytetar në qendrën e votimit në fshatin Zvezdë në Maliq.

Por teksa kryebashkiaku i Maliqit akuzon Spahon për provokim incidentesh të panevojshme, mësohet se deputeti ka bërë denoncim në Polici me pretendimin se personat me të cilët u konfliktua po qëndronin aty për të mos lejuar votuesit që të votonin.

Për ngjarjen foli për mediat edhe vetë Topçiu, i cili kandidon për një mandat të shtatë në krye të bashkisë. “Nuk më vjen mirë që shkaktohet dhunë dhe është i përfshirë një deputet. Po krijohet një tension artificial, i cili nuk është i mirë për asnjë palë”, tha Topçiu.

Ky është incidenti i dytë i raportuar në këtë bashki. Më 12 maj, Spaho dhe mbështetësit e Topçiut debatuan teksa deputeti po filmonte atë që e quajti përpjekje të paligjshme të kryebashkiakut për të marrë votat e komunitetit në Vreshtas, duke u premtuar dhënien e targave për mjetet bujqësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos