Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 3 persona për incidentet që u shënuan mbrëmjen e së shtunës në ndeshjen e futbollit mes Tiranës dhe Vllaznisë, e vlefshme për javën e 16 të Kategorisë Superiore.
Nga shërbimet e Policisë u proceduan penalisht shtetasit A. F., 26 vjeç, B. K., 33 vjeç dhe E. S., 26 vjeç, pasi gjatë zhvillimit të ndeshjes kryen veprime të kundraligjshme duke ndezur flakadanë dhe hedhur lëndë piroteknike.
Në pushimin e pjesës së parë të takimit, disa tifozë aktivizuan një bombol për fikjen e zjarrit në stadium, duke shkaktuar trazira tek pjesë tjetër e tifozëve që ndodheshin në pjesën e poshtme.
Ndërkohë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë që kanë ushtruar veprime të dhunshme gjatë aktivitetit sportiv. (A2 Televizion)