
India regjistroi më shumë se 90 mijë raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit, duke tejkaluar Brazilin për numrin total të infektimeve.
Me rreth 4 milionë e 200 mijë raste India është vendi i dytë më i prekur në botë pas Shteteve të Bashkuara. Për nga humbjet e jetëve, India është e treta në listë, me mbi 71 mijë e 600 vdekje.
Infektimet e reja raportohen kryesisht në 5 shtete; Andra Pradesh, Tamil Nadu, Kranataka, Maharashtra dhe Uttar Pradesh, shteti më i populluar. Situata përkeqësohet, ndërsa qeveria vazhdon të heqë kufizimit në përpjekjen për t’i dhënë hov ekonomisë, pas humbjes së miliona vendeve të punës që prej fillimit të krizës në muajin mars. Për gjatë 7 ditëve të fundit infektimet janë shtuar ndjeshëm, me një mesatare prej 75 mijë rastesh në ditë. Kurba është në ngjitje edhe në kryeqytetin Delhi, ku të dielën u regjistruan 3200 infektime të reja, shifra më e lartë kjo në më shumë se dy muaj.
Rritja e rasteve lidhet pjesërisht edhe me rritje të testimeve ditore që në rang vendi kanë arritur në më shumë se 1 milion. Por me gjithë nivelin e lartë të infektimit me koronavirus, India ka një nivel të ulët vdekshmërie; gati 1 mijë humbje jetësh në ditë janë regjistruar çdo ditë rreth vendit përgjatë 7 ditëve të fundit. India është shteti i dytë më i populluar në botë me rreth 1,4 miliardë banorë. (A2 Televizion)