
Një ish-infermier gjerman pranoi këtë të martë se ka vrarë 100 pacientë duke u bërë kështu një prej vrasësve serialë më të mëdhenj në Gjermaninë e pasluftës.
41-vjeçari Niels Hoegel rrëfeu vrasjen e pacientëve të tij – të moshës 34 deri në 96 vjeç – në dy spitale ku ai ka punuar në veri të Gjermanisë, në vitet 2000-2005. Hoegel akuzohet se u ka dhënë viktimave të tij ilaçe të ndryshme për t’i përkeqësuar gjendjen e më pas të mburrej përpara kolegëve kur arrinte t’i rikthente në jetë. Në seancën e parë të gjyqit që pritet të zgjasë deri në maj, Hoegel pranoi se të gjitha akuzat ndaj tij ishin të sakta. Rreth 126 të afërm të viktimave janë pjesë e akuzës.
Hoegel është duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm për gjashtë akuza të tjera, përfshi edhe vrasje dhe vrasje e mbetur në tentativë. Këto dënime bënë që autoritetet të hetonin mbi qindra vdekje të tjera dhe të analizonin trupat e zhvarrosur të personave pacientë në klinikat ku kishte punuar ai.
Në seancat e mëparshme, Hoegel ka thënë se ndihej euforik kur arrinte t’i ringjallte pacientët ndërsa i shkatërruar kur dështonte. Policia tha se numri i vërtetë i viktimave nuk mund të dihet kurrë sepse një pjesë e trupave ishin djegur. (A2 Televizion)