Inflacioni ndërpret rënien, u kthye në 4.7% në maj

Nga A2 CNN
8 Qershor 2023, 14:12 | Ekonomi
Inflacioni ndërpret rënien, u kthye në 4.7% në maj

Pas mbi 6 muajsh në trajektore rënëse, inflacioni ka shënuar prapakthehu gjatë majit, duke u rritur lehtë në nivelin e 4.7%. As rikthimi i karburanteve në nivelet e para krizës dhe as rënia e fortë e euros nuk kanë ndalur një sërë kategorish të vazhdojnë rritjen e çmimeve.

Kjo veçanërisht te ushqimet, që kanë një rritje vjetore prej 10%, ndikuar më së shumti nga fruta-perimet, bulmetet, vezët dhe mishi.

Nëse 1 vit më parë kriza po shkaktohej thuajse e gjitha nga importi, tashmë jemi zhvendosur në faktorë të brendshëm, diçka që vihet re edhe në shtrenjtimin e fortë gjatë majit, të shërbimeve të argëtimit, hoteleve, kafeneve dhe restoranteve.

Në këtë situatë, pritshmëritë e forta për turizmin, nevoja për të balancuar rënien e euros, por edhe kriza e fuqisë punëtore, janë ingredientët që po furnizojnë inflacionin.

Banka e Shqipërisë ka parashikuar se inflacioni do të qëndrojë i lartë gjatë këtij viti, me tendencën për të rënë nën 3%, vetëm gjatë fundit të vitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos