
Rrjedhja e pagave ishte një levizje që i erdhi në ndihmë luftës së vazhdueshme të qeverisë kundër informalitetit.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, shprehet pro nismës së re të qeverisë për të bërë publike pagat e shqiptarëve një herë në vit, diçka që e konsideron një hap demokratik që mund të nxisë konkurrencën dhe t’i bëjë qytetarët të kuptojnë se ku abuzohet me paratë e shtetit.
Për të shmangur evanzionin fiskal, sipas ekspertit, nuk mjaftojnë vetëm penalitetet nga tatimet, por nevojitet forcimi i marrëdhënies shtet-punëdhënës-punëmarrës, që prej shumë kohësh nuk ka funksionuar.
Preçi sheh me shqetësim hapjen e tregut të punës për të huajt nga vendet e botës së tretë, të cilët pranojnë pagesa më të ulëta, duke vështirësuar standardin ekonomik edhe për shqiptarët me paga minimale. Aktualisht, sipas Tatimeve, mbi gjysma e punonjësve në vend kanë probleme me kontratat, duke mos u paguar për orët shtesë apo duke e tërhequr pagesën jashtë sistemit bankar. (A2 Televizion)